850 milionë euro për ‘Albpetrol’

07/09/2012 00:00

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në Ministrinë e Energjetikës, hapi
zyrtarisht ofertat për shitjen e kompanisë së fundit publike të naftës ‘Albpetrol’.

Nga 19 shoqëri që kishin shfaqur interes, vetem 6 prej tyre paraqitën ofertë, ku çmimin më të lartë, prej 850 milionë euro, e ofroi një fond amerikan investimesh nga Çikago, nën konsorciumin ‘Vetro Silk Roud Ekiti’.

Çmimi i dytë u ofrua nga një tjetër konsorcium me emrin ‘Amber Shajn’, prej 790 milionë euro. ‘Bankers Petroleum’ kompania kanadeze, që ka me koncesion shfrytëzimin e vendburimit të Patos Marinzës, ofroi një çmim prej 303 milionë euro. Rusët e ‘Gazprom’ kishin ofertën më të ulët prej 52 milionë dollarë, ndërsa një kompani arabe nga Dubai e quajtur ‘Ecolog International’ nuk paraqiti çmim ne oferten e saj.

“Procesin e dorezimit dhe marrjes ne dorezim te dokumentave dhe ofertave e konsideroj te mbyllur. Komisioni do te terhiqet per te vazhduar me procedurat e metejshme, qe parashikon ligji dhe praktika e parashikuar ne dokumentat e tenderit”, tha Sokol Dervishaj, zevendesminister i Ekonomise, Tregtise dhe Energjitikes.

‘Albpetrol sh.a’ është një shoqëri anonime me 100% të aksioneve të zotëruara nga Qeveria shqiptare dhe numeron aktualisht rreth 4500 te punesuar. Si rrallëherë me parë me privatizimet strategjiike, në rastin e ‘Albpetrol’ qeveria vendosi të nxjerrë në shitje 100 për qind të aksioneve. Madje me një ligj të posaçëm të miratuar para pak muajsh, kompanisë iu dhanë të gjitha të drejtat e shtetit në fushën e naftës, si negocimi i marrëveshjes për kërkim apo dhe mbikëqyrja e koncesioneve.

Pak javë më parë qeveria i dha ‘Albpetrol’ edhe dy licenca të reja për transportin dhe shpërndarjen e gazit, të cilat tani do i përkasin të gjitha privatit. Me privatizimin e ‘Albpetrol’, qeveria heq plotësisht dorë nga pronësia në fushën e naftës, që tashmë do të jetë e gjitha private, në kërkim, rafinim dhe prodhim.  

Kriteret për fituesin

Shitja e ‘Albpetrol’ është privatizimi i fundit strategjik i Shqipërisë. Në kriteret e kualifikimit qeveria ka parashikuar që në rastin e blerësit të vetëm, kompania që do blejë ‘Albpetrol’ duhet të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë në fushën e naftës.

Në rastin e bashkimit të shoqërive, njëra nga kompanitë duhet të jetë strategjike me po 5 vjet eksperiencë dhe duhet të zotërojë të paktën 30 për qind të aksioneve totale të konsorciumit. Po kështu në kriteret e kualifikimit është parashikuar që kompania të ketë një kapital të paguar prej rreth 80 milionë dollarësh dhe vlera e saj neto duhet të jetë të paktën 100 milionë dollarë.

Në shkurt të këtij viti përmes një vendimi të posacëm me numër 107, qeveria ka paracaktuar edhe kriteret e vlerësimit për shitjen e ‘Albpetrol’. Sipas tyre, oferta financiare do të ketë 75 për qind të pikëve ndërsa garancitë teknike kanë 25 për qind të pikëve.

Ministria e Ekonomisë nuk dha detaje se sa do të zgjasë procedura e vlerësimit të ofertave, pasi edhe në ligjin e privatizimeve nuk ka një limit ligjor. Por komisioni fillimisht do të shqyrtojë vlefshmërinë e ofertave për të parë nëse ato përmbushin kriteret ligjore të kualifikimit. Të gjitha ofertat e paraqitura këtë të premte në tender quhen të vlefshme vetëm pasi të kenë kaluar këtë fazë, dhe vetëm pas kësaj do të shpallet rezultati zyrtar për fituesin që do të blejë 100 për qind të aksioneve të ‘Albpetrol’.  

Top Channel