Dhjetëra studentë të Universitetit të Prishtinës, të mbështjellë me flamuj kombëtar, kanë marshuar rrugëve të kryeqytetit kosovar mëngjesin e së premtes.

Të veshur kuqezi, studentët nisën marshin nga Biblioteka Kombëtare për të arritur tek Rektorati, ku u pritën nga rektori i UP-së, Ibrahim Gashi.

Më pas ata vijuan drejt sheshit “Nënë Tereza”, për të përfunduar në oborrin e qeverisë së Kosovës, ku u takuan me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.

Kryetari i Opinionit të Pavarur Studentor, Adnan Thaçi shpjegoi arsyen e këtij marshimi. “Simbolika e këtij marshimi ka qenë se shumë prej institucioneve dhe organizatave qeveritare e joqeveritare kanë organizuar vizita, por ne vendosem për një mënyrë sa më të thjeshtë. Menduam që kështu, të mbështjellë me flamuj kombëtarë, të bëjmë këtë lëvizje dhe t’i japim kryeqytetit një pamje kuqezi”, tha Adnan Thaçi.

Për të festuar 28 Nëntorin, pak ditë më parë një grup personash nga Prekazi, kulla e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, u nisën drejt Vlorës me kuaj, në një udhëtim që parashikohet të zgjasë 8 ditë.

Kalorësit po rrugëtojnë nëpër shtigjet në të cilat kanë kaluar Isa Boletini me delegatët nga Kosova, para 100 vitesh, me destinacionin e fundit Vlorën, më 28 nëntor.

Më 28 nëntor asnjë nga institucionet publike në Kosovë nuk do të punojë. E mërkura e javës së fundit të nëntorit do të jetë ditë feste me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Top Channel