Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar gjykatën ndërkombëtare të Hagës për drejtësi selektive, duke iu referuar shfajësimit të Ramush Haradinajt dhe të akuzuarve të tjerë për krime lufte.

“Ky vendim, bashkë me lirimin e gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, është një tjetër tregues i drejtësisë selektive, pasi personat e akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit nuk po ndëshkohen”, ka deklaruar dikasteri i diplomacisë së Moskës.

Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “Interfax”, që citon një komunikatë të Ministrisë së Jashtme, Rusia do të insistojë që gjykata e Hagës ta mbyllë misionin e saj sipas parashikimeve të rezolutës 1966 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi shpalli të enjten të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës ish-luftëtarët e UÇK-së Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Në vendimin e saj, Gjykata tha se Prokuroria nuk kishte sjellë ndonjë dëshmi bindëse lidhur me akuzën për tre të akuzuarit se gjatë vitit 1998 kanë kryer krime lufte.

Haradinaj, Brahimaj dhe Bala u rigjykuan pjesërisht në Hagë nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998.

Ndërsa më herët gjatë muajit, Dhoma e Apelit e Hagës liroi nga akuzat ish-gjeneralët kroatë të luftës, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Në gjykimin e shkallës së parë, më 15 prill të vitit të kaluar, Gotovina ishte dënuar me 24 vjet burg, ndërsa Markaç me 18 vjeç.

Top Channel