Tirana dhe Prishtina: Hetim Del Ponte-s

03/12/2012 00:00

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kërkuar hetim të pavarur ndaj
ish-prokurores Karla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për
rolin e saj në hetimin ndaj zotit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve
të tij.

Në njoftimin për shtyp, kreu i shtetit i cilëson “shokuese” deklaratat e fundit të prokurorëve të njohur të gjykatës së Hagës se, akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve te tij nga prokurorja Del Ponte ishte hartuar pa bazë të mjaftueshme provash.

Madje, theksohet më tej, Del Ponte nuk ka marrë parasysh këshillat e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë dhe shkarkimin e tyre nga çështja.

Edhe kryeministri Berisha kërkoi një hetim ndaj prokurores Del Ponte, duke vënë në dukje qëndrimet e saj antishqiptare. Sipas tij, të gjitha këto lëvizje kanë qenë të gatuara nga shërbimet sekrete të Beogradit. Ndaj sipas zotit Berisha, gjykata e Hagës duhet të ndërmarrë hetimin për të konfirmuar besueshmërinë e saj.

Prishtina: Del Ponte, sajesa fantastiko-shkencore

Qeveria e Kosovës, sikurse ajo e Shqipërisë, ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse ndërkombëtare që të fillojnë hetimet kundër ish-kryeprokurores Carla Del Ponte.

Ajo thuhet se ka dëmtuar imazhin e Kosovës në rastin e parë kundër Fatmir Limajt dhe së fundmi edhe ndaj Ramush Haradinajt dhe ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, të cilët janë shpallur të pafajshëm nga gjykata e Hagës.

“Qeveria e Kosovës kërkon nga autoritetet kompetente ndërkombëtare që të nisin hetimet kundër Carla del Ponte-s për keqpërdorimin e autoritetit të saj si kryeprokurore në rastin Haradinaj, Limaj dhe raste të tjera në vitin 2003 dhe lidhur me fabrikimet fantastiko-shkencore të saj lidhur me akuzat e Dick Marty-t”, ka deklaruar qeveria e Kosovës.

Përveç qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, edhe Kroacia ka kërkuar hetim të pavarur për ish-kryeprokuroren, lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit kroat Ante Gotovina dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët Haga i shpalli të pafajshëm pak ditë më parë

Top Channel