Vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Ndarjen e Zonave të Administrimit
Zgjedhor, PS e cilësoi se është në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe
me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Nga selia rozë, Damian Gjiknuri, Sekretar për Çështjet Zgjedhore deklaroi se Kolegji Zgjedhor nga arbiter u kthye edhe rregullshkrues, për interes të nje partie politike duke e komprometuar veten që në vendimmarjen e pare per zgjedhjet.  

“Njëanshmëria e vendimarjes në favor vetëm të interesave politike të PD,  nuk krijon besim dhe klimë për zgjedhje të ndershme dhe të gjithëpranuara,  gjë që po kërkohet nga i gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar .Ndarja e Zonave te Administrimit Zgjedhor sipas ligjit është nje cështje që i takonte KQZ dhe që nuk ishtë në kompetencë të kolegjit,per me teper qe projekti i pare i administratës së KQZ-së me 76 ZAZ mori dakortesine edhe të  opozites. Ishte Partia Demokratike  ajo që kërkoi shtyrjen e vendimit përtej cdo afati,   pasi kërkoi shtimin e numrit të ZAZ dhe urdhëroi administratën politike të KQZ-së për t’i shtuar ato përtej çdo numri logjik që siguronte  harmoni me kriteret e ligjit”, tha Gjiknuri.

Sipas Damian Gjiknurit me këtë vendim të parë Kolegji Zgjedhor krijon nje precedent te rrezikshem per besimin e paleve ne arbitrin dhe  rregullat qe kane shkruar vete.

“Me vendimin e djeshem, po tentohet të hidhen ne ere te gjitha ato garanci ligjore per vendime kolegjiale qe lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve,  te cilat  duhet te gezojnë besimin e aktoreve politik dhe që shkruhen në KQZ. Kolegji Zgjedhor po ve ne rrezik te gjitha standardet ligjore qe ka arritur politika me konsensus  ne lidhje me vendimarrjet e rendesishme, duke u kthyer ne nje komision zgjedhjesh, i kontrolluar nga ekzekutivi.Kolegji Zgjedhor po vazhdon praktikën e kolegjit të mëparshëm, vendimet e te cilit u konsideruan të dyshimta sipas raportit të ODIHR,duke ndikuar direkt  që zgjedhjet në Shqipëri të konsiderohen jo të mira nga Bashkimi Evropian apo e drejta e popullit për të vendosur me votë të vihet në dyshim sipas Departamentit të Shtetit Amerikan”, theksoi Gjiknuri.
 
Për PS vendimi i Kolegjit Zgjedhor është politik duke u kthyer në një shërbëtor të partisë së pushtet.

“Sali Berisha i zënë nga paniku i humbjes së zgjedhjeve por përdor çdo shantazh politik duke asgjesuar konsensusin në KQZ dhe duke përdorur  Kolegjin Zgjedhor si një  instrument partiak në shërbim të tij. Veprime të tilla provokojne popullin, por votuesit janë të ndërgjegjshëm për rezikun që i kërcënohet  zgjedhjeve të lira dhe do të dijnë t’i dalin për Zot votës së tyre, pavarësisht rolit që do të luajë drejtësia e kontrolluar nga Berisha”, tha Gjiknuri.

AK: Kolegji Zgjedhor, manipulimi i parë 

Aleanca Kuqezi reagoi ashpër pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që
përcaktoi në 89 numrin e ZAZ-ve në zgjedhjet e përgjithshme të 23
qershorit. 

Vendimi i shpallur të enjten u kritikua ashpër edhe nga Partia Socialiste, e cila theksoi se Kolegji nuk kishte juridiksionin e nevojshëm për të realizuar këto ndryshime dhe se kjo çështje duhet të zgjidhej brenda KQZ-së.

Kolegji Zgjedhor u mblodh pas një padie të ngritur nga ana e Partisë Demokratike, e cila kërkonte që numri i ZAZ-ve të rritej në 100, nga 66 që kanë qenë në vitin 2009.

”Shtetasi Berisha po provokon Kolegjin Zgjedhjor. Ai është një frikacak që trembet nga vota e lire. Ndarja e 89 zonave bëhet me qëllim që të manipulohet më lehtë”, komentoi në një deklaratë të ashpër Aleanca Kuqezi vendimin e djeshëm.

Sipas grupimit të drejtuar nga Kreshnik Spahiu, “Berisha duhet të largohet një orë e më parë, përpara zgjedhjeve të 23 qershorit”.  

AK, kritikoi ashpër edhe konsensusin PD-PS për kodin zgjedhor, duke e konsideruar atë “fatal” dhe “të turpshëm”.

Top Channel