Arvizu: Kërkuam hetim të besueshëm

08/02/2013 00:00

Një ditë pas vendimit të Gjykatës Penale të kryeqytetit për dosjen e 21
janarit, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka zhvilluar një takim
kokë më kokë me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Një vizitë që mund të interpretohet sërish si një formë mbështetjeje që Shtetet e Bashkuara i japin Prokurorisë për këtë çështje, por edhe ku Ambasadori Amerikan konfirmoi qëndrimin e një dite më parë për vendimin e tre pafajësive.

“Pikë së pari, pas asaj dite të tmerrshme të 21 Janarit, Shtetet e Bashkuara e bënë shumë të qartë se mënyra më e mirë për t’u përballur me atë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim mbi atë që e shkaktoi këtë ngjarje. Ne theksuam rëndësinë e të qënit një hetim i besueshëm. Besueshmëria është koncepti kyç për këtë dhe, në mënyrë që hetimi të ishte i besueshëm, duhet të adresonte disa elemente: kush e organizoi, sjellja e demonstruesve, dhe sjellja e Gardës së Republikës. Ky ka qenë gjithnjë qëndrimi unë dhe nuk ka ndryshuar kurrë. Pika e dytë është, se, përsa i përket asistencës ose përfshirjes amerikane në këtë çështje, kjo çështje ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë një çështje shqiptare. Nuk është një çështje amerikane; nuk pati përfshirje të qytetarëve amerikanë. Përfshirja amerikane rrjedh nga një kërkesë specifike dhe e drejtpërdrejtë e Prokurorit të Përgjithshëm në atë kohë, një kërkesë e mbështetur dhe nga Qeveria e Shqipërisë do të shtoja, që Shtetet e Bashkuara të jepnin asistence teknike për të mundësuar hetimin, dhe kjo ishte ajo që ne bëmë”, u shpreh Arvizu.
 
I njohur me deklaraten e Gjykatës së Tiranës, zoti Arvizu replikoi me të, duke kujtuar përsëri se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thirrur në çështje nga vete Qeveria shqiptare dhe rrëzoi akuzat si të pabaza.

“Përsa i përket deklaratës së Gjykatës së Rrethit Tiranë sot në mëngjes, që sugjeronte se SHBA po ndërhyn në një proces gjyqësor, nuk jam dakord, me gjithë respektin që kam. Kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë rrjedh drejtpërdrejt nga një kërkesë specifike e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kjo kërkesë u mbështet nga Qeveria e Shqipërisë. Pika e fundit që dua të vë në dukje është se gjatë takimit tim me Prokurorin e Përgjithshëm, falënderova Zyrën e tij dhe prokurorët e tij që kanë punuar fort për ta sjellë këtë çështje para drejtësisë. Disa njerëz do të pyesin për komponentët e tjerë të këtij hetimi – organizatorët, sjellja e demonstruesve – por kjo nuk është diçka në të cilën Shtetet e Bashkuara janë përfshirë ose mbi të cilën kanë kontroll, sepse, sërish, ky është një hetim shqiptar. Verdikti i djeshëm i përkiste një komponenti specifik të 21 Janarit dhe deklarata jonë dje i përkiste kësaj pjese specifike të çështjes”, tha Arvizu.

Shtetet e Bashkuara te Amerikes reaguan te enjten pas vendimit te gjykates per pafajsi per te akuzuarit per vrasjet ne 21 janar duke u shprehur te tronditur nga ky vendim qe minon vullnetin dhe besimin e gjykates per te dhene drejtesi. Ndersa nje dite me pas, me nje deklarate tjeter, Gjykata e Tiranes i kerkonte Ambasades Amerikane te mos perfshihej ne punet e brendshme te gjyqsorit.

 

Top Channel