Kapen 4 nga 11 të arratisurit shqiptarë

23/03/2013 00:00

Autoritetet greke njoftuan arrestimin e 4 prej 11 të të burgosurve shqiptarë që u arratisën në orët e vona të së premtes nga burgu i sigurisë së lartë të Trikalasë, 320 kilometra në veri-perëndim të Athinës në Greqi.

Të 11 të burgosurit, të gjithë shtetas shqiptarë, u arratisën nga burgu i Trikalasë, 320 kilometra në veri-perëndim të Athinës, në orët e para të ditës së shtunë.

Mediat greke raportojnë se persona të armatosur qëlluan me armë zjarri dhe granata kullën e institucionit, duke lënë të plagosur të paktën dy punonjës. Ndërsa të burgosurit, mesa duket, përdorën litarë për të zbritur nga kulla në tokë.

Ndërkohë, një përballje e armatosur vazhdoi gjatë natës brenda burgut dhe u sheshua vetëm pas ndërhyrjes së komandove, të cilët morën nën kontroll situatën. Sipas mediave greke, të 11 të larguarit nga qendra e burgimit janë shtetas shqiptarë, të dënuar për grabitje dhe vjedhje.

Policia gjeti 400 deri në 500 gëzhoja plumbash dhe gjurmë të gjashtë granatave të shpërthyer gjatë sulmit, që filloi mbrëmjen e së premtes. Sipas edicionit online të gazetës “Kathimerini”, vlerësohet se numri i personave që sulmuan burgun e sigurisë së lartë të ketë qenë nga 6 deri në 16.

Arratisja alarmoi autoritetet greke që menjëherë ngritën dhjetra postoblloqe, dy helikopterë patrullojnë nga ajri ndërsa e qindra forca policore në terren po krehin zonat përreth.

Në zonë është dërguar edhe një prokuror, ndërsa Ministria e Drejtësisë nisi hetimet për të zbardhur nëse është qëlluar me armë nga brenda burgut apo jo, dhe nëse po se si kanë hyrë në burg këto armë.

Në burgun e Trikallas një muaj më parë u tentua një tjetër arratisje spektakolare me helikopter, por ndërhyrja e forcave të rendit bëri që tentativa e Panajotis Vlastos të dështonte.

Ngjarja e fundit vjen gjithashtu një javë pas asaj ku protagonist ishte shtetasi shqiptar Alket Rizai, i cili në burgun e Malandrinos mbajti për një ditë peng 6 persona, mes të cilëve disa roje.

Top Channel