Një ditë para mbajtjes në Luksemburg të Këshillit të pestë të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Top Channel publikon disa prej pjesëve kryesore të qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.

Në lidhje me situatën politike, pasi vlerësohet bashkëpunimi mazhorancë-opozitë gjatë vitit 2012 për disa reforma, BE bën thirrje për një dialog të qëndrueshëm e konstruktiv mes palëve, si thelbësor për përmbushjen e axhendës së reformave. Që në fillim renditen kushtet e njohura për statusin kandidat.

Statusi

“Axhenda e reformave duhet ndjekur në mënyrë të pandalshme, për të dhënë rezultate konkrete mbi çështjet e mbetura nga 12 prioritetet kyçe të Opinionit dhe për të plotësuar, nëpërmjet një fryme konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, masat kyçe që kërkohen me synimin për të vendosur nëse do të jepet statusi kandidat. Në lidhje me këtë BE thekson rëndësinë e veprimeve të mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë nëpërjmet hetimeve proaktive dhe ndëshkimeve të rasteve të tilla. Sigurimi i kryerjes të suksesshme të zgjedhjeve parlamentare të 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike.”

Presidenti

Zgjedhja e njëanshme e Presidentit, vendimi për çështjen gjyqësore të 21 janarit, apo mënyra si funksionon Parlamenti, janë disa prej shqetësimeve në rritje BE-së në lidhje me pavarësinë e institucioneve.

“BE vëren se zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 ishin në përputhje me Kushtetutën; sidoqoftë ato nuk kënaqën të gjitha pritshmëritë për gjithëpërfshirje.“

21 janari

“BE thekson rëndësinë e respektimit dhe të mosndërhyrjes në punën e institucioneve të pavarura të shtetit, përfshirë gjyqësorin, si elemente kyçe të funksionimit të institucioneve demokratike të vendit. BE vëren se prokuroria ka apeluar kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për të shfajësuar të akuzuarit për ngjarjet e çështjes së 21 janarit 2011. BE përsërit se përmbyllja e procedurave të kësaj çështjeje nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, në përputhje me praktikat më të mira dhe pa ndërhyrje të papërshtatshme, është e rëndësisë më të lartë për besueshmërinë e të gjitha institucioneve të shtetit, si dhe për rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.”

Parlamenti

“BE thekson se funksionimi i duhur i Parlamentit mbetet thelbësor për demokracinë e Shqipërisë dhe për suksesin e programit të reformave që ka vendi dhe duhet të bazohet mbi një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes partive politike, përfshirë përmirësimin e performancës së tij në lidhje me shqyrtimin e legjislacionit dhe funksionet mbikqyrëse. BE inkurajon përpjekje për të përmirësuar cilësinë e ligjeve nëpërmjet shqyrtimit të kujdesshëm nga komisionet parlamentare, me pjesëmarrjen e plotë të opozitës, si dhe me rritjen këshillimeve me palët e interesuara.”

Zgjedhjet

Qëndrimi i 27 vendeve anëtare është mbyllur para zhvillimeve të fundit në vend me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Në dokument BE bën thirrje për zbatim efikas të kodit të ndryshuar zgjedhor dhe për një administratë zgjedhore larg ndërhyrjeve politike.

“BE përsërit se reforma zgjedhore dhe kryerja e zgjedhjeve janë prioritete kyçe të Opinionit. Në këtë kontekst, BE mirëpret ndryshimet konsensuale të Kodit Zgjedhor në korrik të vitit 2012. BE nxit Shqipërinë të marrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin efikas të Kodit të ndryshuar Zgjedhor. Vëmendje e veçantë duhet të kushtohet për të garantuar se organet e administratës zgjedhore i kryejnë në një mënyrë profesionale detyrat e tyre dhe se frenohen nga marrja e vendimeve apo veprimeve që lidhen me zgjedhjet, në bazë konsideratash politike. BE përsërit se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike të vendit, dhe për këtë arsye, një element thelbësor për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE.”

Administrata

Administrata publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në gjyqësor, çështja e pronës dhe media janë disa prej fushave për të cilat BE përsërit prej vitesh të njëjtat kërkesa ndaj vendit.

“BE mirëpret një farë progresi në zbatimin e akteve ligjore dhe administrative, sidoqoftë bën thirrje për më shumë përpjekje për të adresuar mangësitë në kuadrin ligjor dhe administrativ, për të forcuar profesionalizmin, depolitizimin, meritokracinë dhe transparencën dhe luftën kundër korrupsionit në administratën publike. BE nënvizon se në sektorë kyçë, administrata publike përballet me sfida të rëndësishme në kryerjen e detyrave, përfshirë në menaxhimin dhe ndjekjen e programeve të asistencës dhe në zbatimin e legjislacionit që synon përputhjen me legjislacionin europian.”

Gjyqësori

“BE kujton se reforma në sistemin gjyqësor, një prioritet kyç i Opinionit, mbetet një sfidë e rëndësishme për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Progres i prekshëm në reformën gjyqësore është thelbësor për të siguruar besimin në sistemin gjyqësor, për të luftuar realisht korrupsionin dhe krimin dhe për të mbështetur përpjekjet e reformave në fusha të tjera, përfshirë ekonominë. BE nënvizon se pavarësia, paanshmëria, transparenca, efikasiteti dhe përgjegjësia e gjyqësorit, janë elementë kyçë të vlerësimit të kriterit politik për integrim në BE, dhe janë elementë kyçë për të garantuar respektin për shtetin e së drejtës. Ruajtja e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve gjyqësore është thelbësore. Autoritetet gjyqësore duhet të jenë të afta të punojnë në mënyrë të pavarur, në përputhje me standarde të larta profesionale dhe pa ndërhyrje apo pengesa të papërshtatshme.”

Korrupsioni

“BE thekson se është thelbësore që Shqipëria të bëjë progres të mëtejshëm në këtë fushë, përfshirë nëpërmjet hetimeve proaktive dhe ndëshkimeve të çështjeve të të gjitha niveleve në mënyrë që të ndërtojë një historik të fortë provash në këto fusha. BE i bën thirrje Shqipërisë të vijojë përpjekjet në adresimin e korrupsionit në gjyqësor dhe fton vendin të ndërtojë një historik të fortë provash për masat disiplinore kundër gjykatësve dhe për një kontroll të drejtë të pasurive të gjykatësve.”

Pronat

“BE thekson rëndësinë e përmbylljes së regjistrimit të parë të pronave me pronësi të sigurtë dhe duke vënë në praktikë një politikë konsistente të planifikimit territorial. BE tërheq vëmendjen se procesi i kthimit dhe kompensimit ndaj ish pronarëve duhet të marrë parasysh rastet e Gjykatës së Strasburgut (Gjykata Europiane për të drejtat e Njeriut).”

Liria e Shprehjes

“BE mban shënim miratimin nga Parlamenti të ligjit për median audio-vizuale dhe mirëpret parashikimet për votim me shumicë të cilësuar për disa vendime mbi autoritetin rregullator. Sidoqoftë BE shpreh disa shqetësime përsa i takon parashikimeve për zgjedhjen e anëtarëve të tij, të cilat mund të mos japin garancitë më të mira për pavarësinë profesionale të këtij organi. Vëren se presionet nga politika dhe biznesi vazhdojnë të pengojnë pavarësinë editoriale. BE inkurajon Shqipërinë të sigurojë se rregullat mbi reklamat nga institucionet publike janë duke garantuar transparencën e plotë dhe janë zbatuar si duhet në mënyrë që të arrijë pjesën më të madhe të publikut. Për më tepër, BE inkurajon Shqipërinë të trajnojë gjyqtarët për amendimet në Kodin Civil e Penal mbi shpifjen dhe mbi vendosjen e kompensimit të dëmit, në përputhje më rastet e Gjykatës së Strasburgut.”
 
Vlerësime të njëjta me Komitetin katërt, atë të 8 Marsit 2013 vijojnë edhe në qëndrimin e BE-së për shumë fusha e kritere të tjera, përfshirë atë ekonomike ku BE fton Shqipërinë të rivendosë kufirin ligjor të borxhit. Ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik, rritja ekonomike, megjithëse me ritme më të ngadalta dhe politika monetare, përfshihen në aspektet pozitive. Por BE shpreh shqetësimin për borxhin e lartë publik dhe kërkon kthimin tek kufiri ligjor 60 përqind.

“Delegacioni i BE-së nxjerr në pah rritjen e defiçitit fiskal në vitin 2011, që çoi në një rritje të mëtejshme të një borxhi publik relativisht të lartë, i cili vijon të tregojë një prirje afat-shkurtër. Heqja e tavanit prej 60 % të borxhit publik në nëntor 2012 është një motiv për shqetësim, ashtu si dhe rritja mbi 3 % e defiçitit buxhetor. Shqipëria ftohet të rivendosë kufirin ligjor të borxhit dhe t’i japë vëmendjen e duhur zbatimit të programit të rregullimit fiskal që do ta vinte borxhin publik në rrugën e rënies”, thuhet në dokument.
 
Në Këshillin e të martës më përfaqësues të Presidencës irlandeze dhe Komisionit Europian, delegacioni shqiptar drejtohet nga Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel