Rama: Uji, fshati si në shkretëtirë

07/06/2013 00:00

Kryetari i PS, Edi Rama ka zhvilluar pasditen e së premtes një takim me banorët e Kutallisë, në qarkun e Beratit, ku ka premtuar zgjidhjen e problemeve të tyre.

Gjatë fjalës së tij, Rama e ka vënë theksin tek infrastruktura bujqësore, që sipas tij është njësoj si në mesjetë.

“Uji është bërë si legjendë, njësoj sikur jetojmë në Sahara. Gjithashtu, nuk e di se ku janë rrugët e shtruara nga kryeministri Berisha. Që nga kthesa e Lushnjes nuk kam parë asnjë rrugë të shtruar”, ka deklaruar Rama.

Duke vënë në dukje mungesën e kushteve për favorizimin e prodhimit vendas, kreu i opozitës u ka premtuar mbështetje fshatarëve pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Pas 23 qershorit çdo fermer do ketë pranë qeverinë. Ne do ta heqim taksën 20 për qind për bukën, mjellin, qumështin, vezën e vajin”, ka shtuar Rama.

Fushatën e tij kreu i PS bashkë me skuadrën e Rilindjes e ka vijuar në Kuçovë, ku ka bërë premtimet e radhës përpara elektoratit socialist.

“Ne nuk tregojmë përralla. Katragjyshi me anti-plumb i tregon ato dhe mashtron shqiptarët, të cilët i ka lënë në harresë”, ka thënë Rama, i cili ka premtuar ndryshimin e situatës.

“Ne do të rrëzojmë murin e padrejtësisë. Ne do vendosim taksimin e ndershëm. Partia Socialiste do të jetë një qeveri në krah të qytetarit”, ka theksuar Rama.

Rama: Rikthim në punë të shkarkuarve

Më herët gjatë ditës, nga Poliçani, Rama u tha banorëve të kësaj zone se ata janë dëshmitarë
të një realiteti krejt tjetër, nga ajo që propogandon Berisha me rrugët
në këtë zonë.

“Nuk ka turp më të madh që gjithë ky qark është kthyer në një xhep fals, me këto rrugë të shkatërruara që ngjajnë si rrugë pas një lufte, jo si rrugë pas 20 e kusur vitesh në demokraci.Mbeti rrugëve me atë tribunën… edhe rrugët i ka lënë rrugëve, se nuk e ka mendjen t’i mbarojë, ka ndër mend t’i nxjerrë në televizor. Sapo ikën Berisha, asnjë nuk ka më ndërmend të vazhdojëë rrugën”, tha Rama.

Kjo ishte përgjigja e Edi Ramës kur u pyet nga një banor i hequr nga puna për motive politike: “Të gjithë ata që janë larguar nga puna padrejtësisht, që janë shkelur në dinjitetin e tyre dhe që janë lënë rrugëve, ndërkohë që mund t’i shërbejnë shtetit shqiptar me dinjitet, do të kthehen në punë”.

Ndërsa një banor tjetër denoncoi detyrimin e punonjësve për të shkuar në Çorovodë në mitingun e Kryeministrit. Për këtë çështje Rama tha: “E kanë kthyer në PD në agjenci transporti dhe më keq akoma e kanë kthyer shtetin në një mjet presioni dhe dhune mbi çdo nëpunës shteti”.

“Nuk i kam fyer skraparllinjtë”

Ndërsa nga lagja “Kala” në Berat, Rama tha se Berisha shpif kur thotë se kreu i LSI-së Ilir Meta duhet ta dërgojë në Skrapar për të kërkuar falje për fyerjet kolektive.

“Sot vërdallë është katragjyshi, që shkon në Skrapar dhe u thotë, që Edi Rama duhet të vijë këtu të kërkojë falje se ka ofenduar skraparllinjtë. Bashkimi PS dhe LSI është historik për të mbyllur një kapitull dramatik të historisë politike, ekonomike dhe sociale”, tha Rama.

Top Channel