Berisha sulmon taksën e Ramës

07/06/2013 00:00

Në kuadër të fushatës elektorale, Partia Demokratike ka zhvilluar pasditen e së premtes një miting me banorët e Manzës.

Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e PS Edi Rama, për bllokimin e integrimit, si dhe ka sulmuar taksimin e propozuar prej tij, që sipas shefit të qeverisë do dëmtojë biznesin e vogël.

“Sot, kur e gjithë bota po i ul taksat, sot kur institucionet e gjithë botës thonë se Shqipëria i mbijetoi krizës dhe nuk ra në reçesion, ky kërcënon me heqjen e taksave të ulëta dhe vendosjen e taksës që për herë të parë e vendosi daja i tij, Spiro Koleka”, ka deklaruar Berisha.

“Ndaj, ne kemi vendosur taksën e sheshtë, që është më e ndershmja që ka ekzistuar në shekuj e mijëvjeçarë. Me këtë taksë çdo njeri paguan një të dhjetën e asaj që fiton”, ka saktësuar kryeministri, i cili i ka cilësuar si shkatërruese edhe propozimet për heqjen e TVSH-së për produktet bazë.

“Ai tha se do heqë TVSH-në për qumështin, po ç’do të bëjnë fermerët shqiptarë që shesin qumështin për të mbajtur familjet e tyre? Kjo është vetëm një aventurë, sepse ju doni të shisni qumshtin për të ruajtur tregun”, ka thënë Berisha.

Ai ka premtuar sërish rimbursimin me para në dorë të akcizës së naftës dhe TVSH-së së shpenzuar për makinat bujqësore dhe inputet.

“Gjithashtu, ne do shtojmë pensionet e minatorëve dhe do sjellim rrogën e 13-të. Premtojmë ndërtimin e plotë të infrastrukturës më moderne në fshatin tuaj, sistemin e vaditjes për ju dhe gjithë fermereët”, ka shtuar Berisha.

Pak momente më vonë Berisha ka qenë në Fushë Krujë, ku ka vijuar me premtimet e tij, si dhe duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që kjo zonë i ka dhënë PD-së.

“Mirënjohje për mbështetjen që keni treguar ndaj Partisë Demokratike. Bashkë kemi bërë ndryshime pozitive, kemi bërë ndryshime të mëdha në infrastrukturë. Ne po ndërtojmë rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore. Do bëjmë gjithçka që të tërheqim investimet e huaja”, ka deklaruar Berisha. 

Berisha fton skraparllinjtë: Rama ju ofendoi, bashkohuni me PD

Kryeministri Sali Berisha zgjodhi një miting elektoral në Çorovodë të
Skraparit, i njohur si bastion i majtë, për të dhënë për herë të parë
konsideratat e tij sesi po ecën fushata në kampin kundërshtar të
drejtuar nga Edi Rama.

Kryeministri u kerkoi banoreve te Skraparit te bashkohen me Partine Demokratike per t’i dhene zones se tyre mundesine e shnderrimit nga nje xhep i zoluar gjeografik, ku sipas tij e lane qeveritë socialiste, ne nje zone te lakmuar turistike, ku infrastruktura moderne po e lidh me Korçën dhe Permetin.

“Ju jeni njerëz të mençur dhe ai që përpiqet t’ju shesë shqiptarëve sapunin për djathë, ai është i falimentuar, i ka sheshet bosh, qytetarët e kanë braktisur, fabrikon poll-e çdo ditë, vë lente të kamerave për të zmadhuar sheshet. Ja ku jemi gra e burra të lirë që presim me padurim datën 23 qershor, për të firmosur fitoren tone”, tha Berisha.

Nga Çorovoda, ku LSI-ja e Ilir Metes, ka ndikim domethenes eletoral, Kryeministri Berisha, kishte per banoret e Skraparit edhe nje kerkese tjeter: “Unë flas lirshëm. Në nuk jam rritur rrëzë Tomorit, por jam rritur rrëzë Shkëlzenit. Ndaj do t’i kërkoj një gjë Ilir Metës, ta sjellë këtu Edi Ramën dhe Edi Rama të kërkojë falje para skraparllinjve për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit e skraparllinjve. Të vijë këtu e të kërkojë të falur për ato sulme që ka bërë për origjinën skraparlli ndaj aleatit të tij të sotëm. Këtë duhet ta bëjë dhe po se bëri këtë, asnjë vote”.

Berisha inspekton rrugën e kanioneve

Qëndrimin në Çorovodë, kryeministri e shfrytëzoi për të inspektuar edhe rrugën në ndërtim të kanioneve të Osumit. Deri tani, në rrugën ku janë parashikuar edhe vendqëndrime panoramike për turistët, janë përfunduar 50 për qind e punimeve dhe rruga e kanioneve do të shërbejë për të lidhur Çorovodën me zonat e tjera përreth.

“Në katër vitet që vijnë do të ndërtohet rruga Magjatë-Goraj-Velagosht dhe çdo rrugë tjetër në këtë komunë. Do të rindërtohet shkolla e mesme e komunës dhe ajo do të profilizohet në bujqësore, si dhe ndërtimi i çdo shkolle tjetër në këtë komunë, në Berat e kudo. Do të ndërtohen pritat mbrojtëse për tokat në fshatin Tapi dhe do të vendoset një sistem modern vaditjeje”, deklaroi Berisha.

Një tjetër rrugë e nisur në qarkun e Beratit është ajo që lidh komunën Perondi me Kuçovën dhe në takimin me banorët e kësaj zone, kryeministri Berisha i ftoi ata të bashkohen pa dallime me alternativën që punon për mirëqënien e shqiptarëve.

“Ju ftoj që më 23 qershor të bashkoheni me ne për një mbështetje më të madhe për fermat tuaja, për infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve, për rroga dhe pensione më të larta”, tha Berisha. 

Top Channel