Shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Popovski ka përjashtuar zërat se partnerët e koaliconit qeveritar, kryeministri Gruevski dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, udhëheqin politikë të dyfishtë sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit.

Duke komentuar përpjekjet e zotit Ahmeti për të përshpejtuar zgjidhjen e problemit, ministri i jashtëm maqedonas ka thënë se qeveria mirëpret ndihmën e gjithëkujt.

“Nuk do të thosha se po zhvillohet diplomaci e dyfishtë apo paralele, sepse qëllimi i të gjitha partive është i njejtë, anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE. Çdokush që mund të ndihmojë është i mirëseardhur. Shpalosja e qëndrimeve dhe përpjekjeve tona për të zgjidhur çështjen e emrit, qoftë në kuadër të qeverisë, qoftë përmes përfaqësuesve partiakë, siç është në këtë rast BDI-ja, vetëm ndihmon për të informuar vendet tjera për qëllimin tonë. Këtu nuk ka kurrfarë mospajtimi”, ka deklaruar Popovski.

Më tej, ministri i Jashtëm maqedonas ka thënë se nuk ndihet i ofenduar që fqinjët si Greqia dhe Bullgaria, që kohëve të fundit më tepër preferojnë takimet me zyrtarët shqiptarë në qeveri.

Popovski ka theksuar se pala maqedonase është e interesuar që problemi i emrit me Athinën të zgjidhjet sa më parë. Zgjidhje të shpejtë për emrin ka kërkuar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Christopher Yvon.

“Jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e vështirë dhe kërkon shumë guxim dhe fleksibilitet, por ne duam të shohim zgjidhe sa më shpejt. Maqedonia në mënyrë të pavarur duhet ta përcaktojë strategjinë e saj për tejkalimin e këtij problemi, pasi zgjidhja e emrit do të sjellë përfitime për gjithë rajonin”, ka thënë Yvon.

Lidhur me problemin për emrin e Maqedonisë që kanë Shkupi dhe Athina, përfaqësuesit ndërkombëtarë në disa raste kanë sugjeruar që palët të ndjekin shembullin mes Prishtinës dhe Beogradit për të arritur kompromis për problemin 20-vjeçar, që po mban të bllokuara proceset euro-atlantike të Maqedonisë.

Aktualisht qeveria e Shkupit i ka kthyer sytë nga Athina, në pritje të përgjigjes së ftesës për dialog që kryeministri Nikolla Gruevski i bëri më herët gjatë muajit homologut Andonis Samaras.

Por duket se, e zënë me çështjen e krizës financiare që ka përfshirë Greqinë, qeveria e Athinës nuk po i kushton ftesës së Shkupit vëmendjen e duhur.

Top Channel