Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë në burg për Genci
Çarçanin, burrin që vrau të shtunën ish-bashkëshorten e tij, Valbonën.

Burimet thanë se para Gjykatës, burri vetëm ka heshtur duke dëgjuar akuzën pretendimet e Prokurorisë, për vrasje në familje me paramendim.

Çarçani ishte i pari që çeli serinë e vrasjes së tri grave brenda dy ditësh, që tronditën shoqerinë. Dy krimet që ndodhen në Tirane kishin per viktima dy gra, të cilat kishin guxuar të denonconin në polici duke kërkuar urdhër mbrojtjeje.

Por juristët dhe ekspertet e organizatave per mbrojtjen e grave thone se Urdheri i Mbrojtjes, duhet riparë për të qenë më efektiv.

“Ka ndryshime që duhen bërë edhe tek pjesa e Urdhërit të Mbrojtjes. E para, Urdhëri i Mbrojtjes i menjëhershëm, qoftë 24 orë, qoftë 48 orë e lë viktimën pa përkrahje për këtë pjesë kohore, e lë atë në mëshirë të fatit. E dyta, duhet përsosur edhe teknologjia për zbatimin e vërtetë të Urdhërit të Mbrojtjes. Nëse Gjykata e jep një vendim me shumë të drejtë, që dhunuesi duhet të rrijë 500 metra, 1 kilometër larg viktimës, varet nga rrezikshmëria që paraqet dhunuesi, policia e ka të pamundur ta kontrollojë se sa metra apo kilometra ndodhet vërtet larg  dhunuesi nga viktima. Për hir të së vërtetës, kjo nuk është më një detyrë që i takon vetëm policisë sepse këtu tani të gjithë barrën ia kemi vënë policisë”, thotë Iris Luarasi, drejtuese e “Linjës për Këshillimin e Grave dhe Vajzave.

Njerëzit e drejtësisë e shikojnë ashpërsimin e Kodit Penal për ndëshkimin e krimit në familje si frenues, por duhet një koordinim më i gjere për të parandaluar krimin në familje.

“Fenomeni i parandalimit, reduktimit të mbështetjes së viktimave të dhunës në familje është një fenomen që kërkon investimin e shumë autoriteteve, i aktorëve institucionalë dhe jo të tillë, i organizmave shtetërorë dhe joshtetërorë, ku aplikimi i legjislacionit penal është një nga komponentët dhe nga më të rëndësishmit. Ashpërsimi i sanksionit, parashikimi dhe gjykimi i këtyre veprave penale, vrasjes në familje specifikisht, është tani kompetencë e Krimeve të Rënda, ne gjykojmë që do të ketë impaktin e vet pozitiv në drejtim të parandalimit të këtij fenomeni. Natyrisht që kërkohet edhe veprimi i mekanizmave të tjerë ligjorë për të arritur qëllimin”, thotë prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Altin Binaj.

Tirana njihet si qyteti ku ka me shume denoncime te grave ndaj dhunes se burrave. Brenda ketij vitit, Gjykata ka regjistruar 360 kërkesa për urdhër mbrojtjeje, por 200 prej tyre janë pushuar pasi gratë janë tërhequr në Gjykatë.

“Arsyet se përse viktimat tërhiqen nga paditë e tyre janë të shumta. Mund të jenë arsye duke nisur që nga ato ekonomike, apo pjesa e presionit që kanë, qoftë nga familja e tyre e origjinës, qoftë edhe nga familja e dhunuesit. Në linjën e Këshillimit, kemi raste që gruaja futët në një strehëz, sepse familja e origjinës nuk është e gatshme ta mirëpresë atë bashkë me fëmijët”, thotë Luarasi.

Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës deklaron se ka nën hetim për këto 6 muaj, 90 dosje për akuzën e dhunës në familje, për të cilat 15 persona janë nën arrest me burg dhe të tjerët me masën e detyrimit me paraqitje dhe arrestit shtëpiak.

Top Channel