“SHQUP-i do t’i kthehet ushtrisë”

09/08/2013 00:00

Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes në qeverinë Rama e quan të jashtëligjshëm vendimin e qeverisë për t’i kaluar për përdorim godinën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Partisë Demokratike.

Në një intervistë për Top Channel, zonja Kodheli sqaron se ku është shkelur ligji me këtë vendim të Këshillit të Ministrave nga ana e qeverisë në ikje.

“Ky vendim është marrë në mungesë të plotë të transparencës. Nuk është shpallur në faqen zyrtarë të Kryeministrisë. Ajo që është më e rënda dhe më e rëndësishmja është marrë në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës sepse SHQUP-i konsiderohet një unitet ushtarak që është pjesë e një plani të shpërndarjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Duke qenë pjesë e kësaj liste duhet të merret një miratim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht i Shefit të Shtabit të forcave të armatosura pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”, thotë zonja Kodheli.

Ajo shton se vendimi shkel hapur ligjin 8671 datë 26.10.2000, i ndryshuar me ligjin 9194, datë 19.2.2004, ku në piken 3 thuhet se Komandanti Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, “miraton planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje….”

Mimi Kodheli deklaron se gjatë një bisede telefonike që pati me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshin për këtë çështje, ai i ka pohuar se nuk ka firmosuar asnjë shkresë për nxjerrjen jashtë inventarit të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes të ndërtesës së SHQUP-it.

“Unë kam kontaktuar e Shefin e Shtabit më shumë se një rast dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Gjë që më bën të besoj se kjo VKM, ky vendim i marrë dje nga ana e qeverisë është plotësisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar”, deklaroi Kodheli.

Por si do të veprojë për këtë çështje qeveria e ardhshme kur të marrë detyrën në shtator?

“Ju siguroj se ne do t’i kthejmë në situatën e mëparshme, statusin e asaj që ne e quajmë SHQUP. Do të vëmë përpara përgjegjësisë të gjithë ata të cilët me vetëdije kanë shkelur ligjet e shtetit shqiptar”, deklaroi zonja Kodheli.

Jo vetëm për godinën e SHQUP-it, por edhe për të gjitha pronat e Ministrisë së Mbrojtjes që po përpiqen të shiten me urgjencë nga qeveria Berisha, zonja Kodheli premton një hetim të hollësishëm.

“Kudo ku është abuzuar dhe shkelur ligji të gjitha procedurat do të kalojnë në një auditim të hollësishëm dhe unë besoj se abuzuesit do të marrin përgjigjen që meritojnë. Ligji duhet të jetë mbi gjithçka dhe ne duhet të jemi të gjithë të barabartë përpara tij. Nuk bën përjashtim këtu, qofshin edhe njerëz me pushtet, sic janë njerëzit që sot në shkelje të plotë të ligjeve kanë marrë këtë vendim i cili ju siguroj që do të jetë një vendim që do të rikthejë në vend këtë godinë e cila konsiderohet një godinë e rëndësisë së veçantë”, u shpreh Ministrja e ardhshme e mbrojtjes.

Top Channel