Athina zyrtare duket se nuk konfirmon tani për tani lajmin që publikoi gazeta “Dnevnik” e Shkupit, sipas të cilës përfaqësuesi grek në negociatat midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë për çështjen e emrit ka hedhur në tryezën e bisedimeve të fundit në Nju Jork emrin “Maqedonia Sllavo-Shqiptare”.

Ministria e Jashtme greke ende nuk ka një deklaratë zyrtare për këtë çështje, ndërsa shtypi grek vlerëson si të pakonfirmuar këtë lajm nga kjo gazetë, e cila konsiderohet se mbështet kryeministrin Nikolla Gruevski dhe që në të kaluarën është përpjekur të krijojë përshtypje me informacione që asnjëherë nuk janë vërtetuar.

Edhe kësaj here, “Dnevnik” shkruan në një reportazh të saj, të cilin madje e publikon në faqen e parë, se ky emër i ri, në të cilin futet për herë të parë edhe elementi shqiptar, është propozuar nga përfaqësuesi grek Adamantios Vasilakis në takimin me përfaqësuesin e Shkupit, Zoran Giolefski dhe të derguarin e OKB, Methiu Nemitz, duke shtuar madje se për grekët zgjedhja e emrit nënkupton forumulën “erga omnes”, dmth. përdorimin e emrit nga të gjitha palët.

Gjithësesi, gazeta “To Ethnos” e së mërkurës komenton se në Shkup ka shkaktuar “qark të shkurtër” ky propozim i ri i supozuar i palës greke, pasi vlerësohet me shqetësim se ai mund të ketë mbërritur në tryezë në konsultim me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, të cilët kohët e fundit shkojnë e vijne në Athinë.

E vërteta është, shkruan “To Ethnos”, se emri Maqedonia Sllavo-Shqiptare ishte përmendur në vizitën e fundit të zotit Nemetz në Athinë, në bisedimet që kishte me ministrin e Jashtëm Evangjelos Venizelos, më shumë për të shpjeguar kompleksitetin e problemit sesa si një propozim konkret.

Ndërsa “Kathimerini” komenton se Greqia qëndron fort në pozicionet e saj përsa i përket çështjes së emrit, duke parë se ky problem nuk ndodhet në preferencat e SHBA dhe të shteteve të BE-së, duke sjellë si shembull raportin e Komisionit Europian që vërtet propozon fillimin e negociatave të integrimit për Shkupin, por thekson se duhet të zgjidhet më parë çështja e emrit që qëndron mes dy shteteve fqinje për më se dy dekada.

Top Channel