Kryeministrat e Serbisë, Hungarisë dhe Kinës kanë arritur në Bukuresht një marrëveshje për një projekt të përbashkët për restaurimin dhe modernizimin e linjës hekurudhore Beograd-Budapest.

Marrëveshja është njoftuar në një konferencë të përbashkët për shtyp, në kuadër të samitit që kryeministri kinez Li Keqiang ka organizuar në kryeqytetin rumun me krerët e qeverive të 16 vendeve të Evropës qendrore dhe lindore.

Samiti, i dyti për nga formati pas atij të Varshavës 2012, nxjerr në pah planin e qeverisë kineze për investime me vlerë 10 miliardë eurosh në zhvillimin e infrastrukturës në vendet e Evropës qendrore dhe lindore.

“Kjo është një mundësi për të arritur objektiva të rëndësishëm teknologjikë për rajonin”, ka thënë kryeministri serb Ivica Daçiç në takimin e përbashkët me homologët Viktor Orban dhe Li Keqiang.

Një grup pune do të hartojë një plan financiar për projektin dhe do të merret me të gjitha aspektet teknike të tij, ka shtuar Daçiç.

Vetëm pak ditë më parë Serbia dhe Kina nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjitikës dhe atë të minierave, që parashikon realizimin e një blloku të tretë në çentralin termoelektrik të Kostolacit, në lindje të Serbisë, dhe rritjen e prodhimit në një minierë qymyri.

Ndërsa ditën e hënë, me një ceremoni zyrtare në vendin ballkanas u përurua nisja e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit “South Stream”, një investim rus që mban firmën e kolosit “Gazprom”.

Projekti është quajtur si investimi më i madh jo vetëm për Serbinë, por edhe tërë Evropën. Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, deklaroi se Serbia do të jetë një nyje energjetike për rajonin.

Top Channel