Në Maqedoni nuk ka asnjë paralajmërim për përfshirjen e Shqipërisë dhe Kosovës në nismën për shfrytëzimin e ambasadave të përbashkëta që kanë ndërmarrë Shkupi dhe Beogradi.

Zv/kryeministri i Maqedonisë për çështjet evropiane, Fatmir Besimi ka konfirmuar se në qeveri deri tani nuk është diskutuar zgjerimi i kësaj nisme me këto dy vende. “Në qeveri nuk ka asgjë zyrtare deri më tani lidhur me këtë cështje”, ka deklaruar Besimi.

Pas paralajmërimeve zyrtare për mundësinë e funksionimit të ambasadave të Shkupit dhe Beogradit në objekte të përbashkëta, ka reaguar edhe partia opozitare Rilindja Demokratike Kombëtare, e cila vlerëson se me këtë iniciativë, Maqedonia po bëhet gati për integrim në një shtet të përbashkët me Serbinë.

“Pikërisht bashkëpunimi në sferën e ambasadave, repsektivisht në harmonizimin e politikës së jashtme, dëshmon se ky vend definitivisht integrohet në Serbi. Për fat të keq, partneri shqiptar i koalicionit e përkrah këtë ide me një pompozitet të madh dhe definitivisht kjo parti na integron atje ku më së paku duan shqiptarët”, ka thënë deputeti Naxhi Xhelili.

Kryeministi Nikolla Gruevski ditë më parë njoftoi se autoritetet e Shkupit janë duke biseduar me zyrtarët në Serbi, Turqi, Mal të Zi dhe Slloveni për shfrytëzimin e ambasadave të përbashkëta në disa vende të botës. Ai sqaroi se nisma nuk ka prapavijë politike dhe se qëllimi i saj është ulja e shpenzimeve për ambasadat.

Top Channel