Serbia ka ofruar ndihmën e saj, nëse është e nevojshme, pas vrasjes së politikanit serb në Mitrovicën Veriore, Dimitrije Janiçijeviç.
Kryeministri serb, Ivica Daçiç u tha gazetarëve se kjo ngjarje është
shumë e rëndë dhe e patolerueshme, por mbi të gjitha ka pasoja politike.

E dënojmë ashpër këtë ngjarje dhe kërkojmë që të kryhen hetimet dhe të gjenden autorët e saj. Jemi gati të ofrojmë ndihmën tonë për EULEX-in dhe Policinë e Kosovës. Nuk e di se cilat mund të jenë arsyet dhe prapavija e vrasjes, por meqë bëhet fjalë për një anëtar të një organizate politike, atëherë kjo patjetër që ka ndikim dhe pasoja”, deklaroi Daçiç.

Ai tha se çdo formë e destabilizimit dhe e dhunës kërcënon të rrënojë paqen. Ndërkaq, ministri serb për Kosovën, Alleksandar Vullin, pas një takimi që pati për të ndihmuar shkollat serbe në Kosovë, e vlerësoi këtë vrasje si një cënim të dialogut pasi ai është synon të krijojë një jetë më të mirë.

Megjithatë, fushata politike pas refuzimit të betimit të kryebashkiakut të zgjedhur, Krstimir Pantiç, ka nisur dhe qeveria serbe nuk është ende e sigurt nëse do të ketë një kandidat të ri për ta mbështetur apo do të rikandidohet Pantiç. Por, sipas Vullin, zgjedhjet duhet të ndodhin sa më parë.

“Zgjedhje të përsëritura do të ketë dhe Lista Serbe do të dalë me propozimin e saj të përshtatshëm. Kjo nuk duhet të përdoret si mundësi për të ndaluar formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe apeloj nga personat përgjegjës që sa më parë të na ofrojnë një datë”, tha Vulin.

Vrasja e një politikani në veri për Serbinë ndodh në momente të rëndësishme pasi javën e ardhshme pritet të nisin bisedimet për integrim në Bashkimin Evropian.

Top Channel