Të paktën 39 protestues dhe 32 pjestarë policie të lënduar është bilanci i protestës studentore në ditën e nëntë të saj. Njësia speciale e Kosovës reagoi me gaz lotsjellës në drejtim protestuesve të cilët po tentonin të hynin në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Protestuesit i bënë thirrje policisë të largohej pasi sipas tyre, nuk e kanë vendin në mjediset e dijes.

Policia e arsyetoi përdorimin e gazit lotësjellës me faktin se në drejtim të forcave policore protestuesit hodhën mjete të forta duke shkaktuar lëndimin e disa policëve. Zëdhënësja Flora Ahmeti tha se policia ka të drejtë t’i përdorë të gjitha pajisjet në mënyrë që situata të vihet nën kontroll. Sipas saj nga mjetet e forta disa police janë në gjendje shumë të rëndë. Sipas policisë nga reagimet e protestueve pësuan lëndime edhe dy kameramanë te televizioneve kosovare.

Protestutesit janë kthyer disa herë në sheshin e protestës pavarësisht hedhjes së gazit lotësjellës. Përleshjet mes protestuesve dhe policëve zgjatën deri në orën 16:00, koha kur përfundon orari zyrtar i Rektoratit dhe kur nga studentet është bërë praktikë që protesta të mbarojë. Organizatorët akuzuan Policinë se përvec që ka bërë arrestime të studenteve edhe i ka rrëmbyer ata duke hyrë me veshje  civile në mes të protestuesve.

Në lidhje me këtë policia tha se në kuadër të njësiteve policore kanë qenë të angazhuar edhe policët civilë. Ky njësit me urdhër të prokurorit arrestoi nëntë persona, katër prej tyre ende pa filluar protesta si pasojë e veprimeve të një dite më parë.

Gjithsej janë të arrestuar 33 persona në mesin e tyre edhe Ilir Deda nga shoqëria civile dhe Ylli Hoxha nga lëvizja Vetëvendosje. Instituti “Kipred” e cilësoi jo demokratike arrestimin e pjestarëve të shoqërisë civile dhe sqaroi se Deda u arrestua gjatë kohës kur po provonte të bisedonte me policinë për të qetësuar protestën.

E ndërsa kushti kryesor për ndërprerjen e protestës mbetet dorëheqja e Ibrahim Gashit, ky i fundit duket se këtë veprim nuk e ka në plan. Këshilli drejtues i UP-së nëpërmjet një komunikate njoftoi se ka filluar procedurën e adresimit të përgjegjësisë për të gjithë stafin e UP-së duke filluar nga Rektori. Ky organ kërkoi nga studentet protestues dhe institucionet kohë që ta kryejë punën e vet në përputhje me kompetencat që ka duke filluar nga Rektori Gashi.

Këshilli Drejtues i UP-së e cilësoi ndërhyrje në autonominë e  Universitetit kërkesën e opozitës në Kuvend për dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Nga ana tjetër e patoloreshume është vlerësuar dhuna e policisë ndaj protestuesve nga partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje. Nëpërmjet  komunikatava të vecanta këto dy partie fajësojnë qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar.

Për LDK-në qeveria Thaçi tregoi se nuk ka vullnet ta tejkalojë situatën. E për lëvizjen Vetëvendosje Universiteti i Prishtinës është uzurpuar nga mashtrues e matrapazë të mbështetur nga qeveria të cilët sic thuhet po ja shkatërrojnë Kosovës universitetin dhe po ia ndalojnë studentit hyrjen në të.

Top Channel