Avioni, indinjatë e familjeve të viktimave

25/03/2014 00:00

Të indinjuar, familjarët e pasagjerëve që ndodheshin në bordin e avionit
të humbur të “Malaysia Airlines” janë përleshur me policinë jashtë
selisë së ambasadës së Majalzisë në Pekin.

Në kryeqytetin kinez, familjarët e viktimave bënë një deklaratë përmes të cilës akuzuan qeverinë e Kuala Lumpurit se është përpjekur të vonojë, manipulojë dhe fshehë të vërtetën.

Disa dhjetëra persona lanë hotelet ku ishin sistemuar në Pekin dhe u drejtuan për në selinë diplomatike, ku lëshuan akuzat ndaj qeverisë së vendit fqinj.

Policia bllokoi autobusët e tyre, duke detyruar të afërmit e viktimave të ecnin në këmbë deri tek ambasada, ku protesta e tyre arriti kulmin. Protestuesit hodhën shishe uji ndaj ambasadës dhe u përpoqën të hynin në ndërtesë, duke kërkuar të takonin ambasadorin.

Përreth selisë diplomatike kishte një prani të theksuar policie, e cila u përlesh me një grup familjarësh që u përpoqën të flisnin për gazetarët, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Përleshjet në Pekin erdhën një ditë pasi kryeministri malajzian deklaroi “me keqardhje të thellë” se në bazë të të dhënave të mbledhura mund të arrihet në përfundimin se avioni u rrëzua në jug të Oqeanit Indian dhe është zhdukur.

Zoti Najib Razak tha se, përfundimet se avioni kishte humbur bazoheshin në analizat satelitore të bëra nga kompania britanike Inmarsat dhe informacioni i ofruar nga Agjencia e Hetimit të Incidenteve Ajrore, edhe kjo britanike.

Avioni me numër fluturimi “MH370” u zhduk nga radarët më 8 mars, teksa fluturonte nga Kuala Lumpuri në Pekin. Në të udhëtonin 239 persona, 153 prej të cilëve shtetas kinezë.

Top Channel