Prokuroria ngre akuzën ndaj Canës

18/08/2014 00:00

Prokuroria e Përgjithshme me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur akuzat e ngritura prej saj ndaj Agron Canes, i cili figuron i regjistruar me emrin Andon Cane.

Sipas organit të akuzës, ndaj Canës janë provuar dhe janë ngritur akuzat e “ngacmimit sekusual” dhe “ushtrim të paligjshëm të ndikimit”.

Në konkluzionet e prokurorisë, të cilat do t’i paraqiten Gjykatës së Sarandës, shpjegohet me detaje e gjithë dinamika e ngjarjes, që nga momenti i parë i takimit të denoncueses Elvira Gega me Agron Canën, e deri në momentin e kallëzimit në polici të 40-vjeçares.

Nëse Cane shpallet fajtor për të dyja akuzat, ai rrezikon deri në 11 vite burg. Ministria e Brendshme njoftoi të shtunën arrestimin e personit në fjalë në qytetin e Sarandes, pas denoncimit se ai kishte kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Në website-n ‘investigim.al’ u bënë të ditura detaje të bisedës së personit të akuzar, njëherazi sekretar i deputetit socialist Koço Kokëdhima, me një grua nënë të katër fëmijëve, të cilës i kërkonte favore seksuale edhe për të bijën 14-vjeçare.

Gruaja e re kishte kërkuar ndihmë për t’u punësuar për shkak të varfërisë së madhe. Bashkëshorti i saj ishte aksidentuar gjatë punës në ndërtim dhe kishte humbur jetën.

Sipas investigimit, sekretari i deputetit socialist i tregonte hapur gruas synimet seksuale për vajzën e saj 14-vjeçare, nxënese në klasën e nëntë.

Sipas faqes së internetit, që zbardhte pjesë të bisedës së sekretarit të deputetit, ai i premtonte nënës përkujdesje të gjatë për vajzën 14 vjeçe edhe sepse mund të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Sarandës në votimet e ardhshme.

Vetë gruaja, shtetasja Elvira Gega, kërkon siguri për veten dhe fëmijët, pasi ka dyshime se persona që nuk i njeh janë duke u përpjekur t’i afrohen banesës së saj.

Top Channel