Itali, Bossi: Berlusconi të tërhiqet

08/11/2011 00:00

Partneri kryesor i koalicionit qeverisës të kryeministrit italian Silvio
Berlusconi i ka bërë thirrje atij që të tërhiqet, në prag të një votimi
jetik për buxhetin e vendit.

Umberto Bossi, drejtues i Lega Nord, ka deklaruar se aleati i tij duhet të zëvendësohet nga ish-ministri i Drejtësisë, Angelino Alfano.

Shumica e zotit Berlusconi është e shkërmoqur para votimit, me shumë deputetë që kanë dezertuar dhe të tjerë që thonë se do të rebelohen.

Deri tani, vetë kryeministri ka insistuar se ka mjaftueshëm mbështetje për të vazhduar qeverisjen dhe ka mohuar zërat për dorëheqje.

Ai është shprehur i vendosur për t’u përballur me votimin për buxhetin dhe i gatshëm të shohë në sy “tradhtarët”.

“Ne i kërkojmë kryeministrit që të tërhiqet”, tha Bossi për gazetarët pas një takimi te mbajtur me kreun e ekzekutivit.

Qeveria italiane ndodhet në një pozitë shumë të vështirë, të shkaktuar kryesisht nga kriza e borxhit, që ka arritur nivele maksimale.

Vendi mund të përfundojë nën monitorimin e inspektorëve të FMN-së, të cilët mund të mbërrijnë në Romë nëse nuk miratohen reformat e kërkuara nga KE.

Javën e kaluar, gjashtë ish-aleatë të kryeministrit kërkuan në Parlament largimin e tij nga detyra, pasi qeveria nuk arriti të miratonte një paketë masash anti-krizë.

Top Channel