Negociatorja kosovare, Edita Tahiri është nisur të hënën për në Bruksel, në kuadër të raundit të tetë të dialogut me Serbinë.

Lajmin e bën të ditur “REL”, që i referohet një njoftimi për shtyp të dërguar nga zyra e shtypit pranë qeverisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, në raundin e ri do të bisedohet lidhur me mungesën e zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, si dhe për cështjet e bashkëpunimit rajonal, menaxhimit të integruar të kufijve, telekomunikacionit dhe energjisë.

Në delegacionin e përfaqësuar nga zonja Tahiri marrin pjesë edhe këshilltarë të dialogut, si dhe ekspertë për menaxhimin e integruar të kufijve.

Javën e kaluar, Tahiri shprehu pakënaqësinë e saj për progresin e ngadaltë të bisedimeve, duke bërë përgjegjës Beogradin për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve.

“Unë besoj se jemi në një situatë të cilën e kemi sjellë deri tek arritja e disa marrëveshjeve, të cilat nuk po zbatohen”, deklaroi Tahiri për të përditshmen serbe “Politika”.

Procesi i bisedimeve rifilloi të hënën e kaluar, ku palët arritën një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave, por nuk u tregua asnjë angazhim për zbatimin e pakteve të mëparshme.

Vetë Bashkimi Evropian kërkoi të hënën përmes zyrtarëve të tij vazhdimin e bisedimeve për të arritur një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve.

Top Channel