Mediat në Kosovë kanë bojkotuar të enjten aktivitetet e autoriteteve dhe institucioneve shtetërore, në shenjë proteste ndaj miratimit të Kodit Penal nga Kuvendi.

Gazetarët kosovarë kanë kundërshtuar ashpër dy nene të kodit, që parashikojnë kriminalizimin e shkrimeve investigative dhe publikimin e burimeve të gazetarëve në raste proçesi gjyqësor.

Për këtë arsye redaktorë të mediave kosovare zhvilluan pak ditë më parë një takim me presidenten Atifete Jahjaga, të cilës i kërkuan që të insistojë për ndryshimin e Kodit Penal.

Nga ana e saj presidentja u shpreh e gatshme të shqyrtonte kërkesat e reporterëve, por sipas mediave kosovare, Kodi Penal, i miratuar më 20 prill, nuk ka mbërritur ende në zyrën e saj.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi të mërkurën se nuk lëviz nga premtimi i tij se, do të japë dorëheqjen në rast se Kodi Penal nuk ndryshohet.

Duke folur pas mbledhjes së qeverisë, Kuçi tha se, “nuk jam aq i marrë sa të them publikisht pa e pasur një bindje të plotë për këtë”.

Rreth 200 punonjës të medias së shkruar dhe asaj elektronike në Kosovë protestuan muajin e kaluar përpara selisë së qeverisë, duke kundërshtuar Kodin e ri Penal të vendit.

Top Channel