Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov është optimist së nuk do arrihet deri tek bojkotimi i zgjedhjeve lokale të marsit nga ana e opozitës maqedonase.

Edhe pse kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka pranuar kërkesën e opozitës që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato parlamentare, Ivanov shpreson se ka ende kohë që të arrihet një marrëveshje me opozitën për të evituar bojkotin.

“Është ende herët të flitet nëse opozita do të marrë pjesë ose jo në zgjedhje. Deri në muajin mars kur mbahen zgjedhjet lokale ka akoma kohe e mund të gjendet ndonjë marrëveshje. Unë jam optimist dhe besoj se mund të gjenden zgjidhje nëse bisedohet. Nëse ekziston dialogu dhe komunikimi, gjithmonë zgjidhjet janë të mundëshme”, ka deklaruar Ivanov.

Presindeti Ivanov është i bindur se institucionet e vendit posedojnë kapacitetet e nevojshme për të organizuar zgjedhje demokratike, megjithatë ai thotë se mbarëvatja e tyre varet edhe nga politikanët.

“Nëse hedhim një vështrim pas, zgjedhjet e fundit kaluan pa vëretje dhe me vlerësime të larta nga OSBE-ja. Kjo garanton se edhe këto zgjedhje do të jenë korrekte. Shpresoj që mos të rrëzohet ky standart i vendosur për zgjedhje demokratike. Megjithatë, çdo herë varet nga edhe politikanët si do t’i zhvillojnë ato”, ka thënë Ivanov.

Ndërkohë, të premten kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski ka ftuar institucionet dhe organizatat ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 24 marsit. Thirrjen e tij drejtuar monitoruesve të huaj, Veljanovski e ka cilësuar si kontribut për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

Ditën e mërkurë opozita maqedonase vijoi me marshimin protestues në Shkup. Dhjetra përkrahës të opozitës, bashkë me disa nga drejtuesit e saj, protestuan para godinës së qeverisë, duke bllokuar për gjysmë ore disa rrugë para saj. 

Top Channel