Egjipt, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

14/08/2013 00:00

Presidenca e Egjiptit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në nivel kombëtar pas masakrës që ndodhi kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve në Kajro.

Në kampe qëndronin mbështetësit e ish-presidentit Mohamed Morsi, që u rrëzua nga pushteti në fillim të korrikut. Autoritetet deklarojnë se 149 persona janë vrarë dhe 1.403 janë plagosur, por lëvizja Vllazëria Myslimane thotë se viktimat janë mbi 2 mijë.

Ndërkohë, zv.presidenti i përkohshëm Mohammed el Baradei ka dhënë
dorëheqjen duke deklaruar se, nuk mund të mbajë mbi shpatulla
përgjegjësinë për çdo pikë gjaku të derdhur.

Gjendja e jashtëzakonshme fillon në 16:00 me orën lokale dhe do të zgjasë për një muaj. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, buldozerë të armatosur hynë thellë në kampin kryesor të protestuesve që ishte ngritur jashtë xhamisë Raba al Adawiya, në lindje të Kajros.

Autoritetet deklarojnë se edhe kampet e tjera të protestuesve, në Sheshin Nahda, tani janë boshatisur. Të dhëna për një gjakderdhje masive dolën nga kampet e protestuesve, me gazetarët që raportonin se të plagosurit po trajtoheshin pranë të vdekurve në tenda spitalore.

Vajza 17-vjeçarë e një lideri të Vllazërisë Myslimane ishte mes viktimave, thonë gazetarët. Asmaa el Beltagy u qëllua në kurriz dhe në gjoks, tha vëllai i saj.

Ndërkohë, një kameraman që punonte për “Sky News”, Mick Deane, është vrarë gjithashtu gjatë akteve të dhunës. Së fundmi vijnë të dhëna edhe për manifestime në zona të tjera të Egjiptit.

Ende nuk është e qartë se sa viktima janë regjistruar në operacionet e forcave të sigurisë në Kajro. Shifrat ndryshojnë dhe verifikimi ka qenë i pamundur.

Khaled Ezzelarab, një gazetar për shërbimin arab të BBC, deklaroi më herët se kishte numëruar të paktën 50 trupa në tendat spitalore rreth xhamisë Raba al Adawiya.

Ndërsa Ikhwanonline, faqja e internetit e Vllazërisë Myslimane, që mbështet dhe protestat, njofton se në total janë vrarë mbi 800 persona.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se bilanci zyrtar i viktimave është ngjitur në 149, ndërsa Ministria e Brendshme ka mohuar që vdekjet të jenë shkaktuar nga forcat e sigurisë duke qëlluar me armë zjarri.

Protestat e mbështetësve të Morsit nisën pasi qeveria e re ushtarake emëroi gjatë së martës një grup gjeneralësh si guvernatorë të provincave, duke shtuar frikën e një rikthimi në autoritarizmin e ish-presidentit Hosni Mubarak.

Të njëjtën ditë policia egjiptiane përdori gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat e mbështetësve të presidentit të burgosur gjatë një marshimi në qendër të Kajros. 

Top Channel