Siri, sulm ndaj bazës ushtarake

16/11/2011 00:00

Një bazë kryesore e ushtrisë siriane u sulmua gjatë ditës së mërkurë, në atë që mund të jetë shenja e parë për fillimin e një lufte civile në shkallë të gjerë, raportuan grupimet opozitare.

Sulmi duket se është organizuar nga dezertorë të ushtrisë, të cilët i janë bashkuar kryengritësve. Pjesë të kapaciteteve kundraajrore në bazën e ndodhur në Harasta, pranë Damaskut, janë shkatërruar. Nuk dihet numri i saktë i viktimave.

Për t’iu kundërpërgjigjur masakrave të presidentit al-Assad, grupimet opozitare kanë krijuar Ushtrinë e Sirisë së Lirë, por ajo ka qenë gjerësisht e pafuqishme për t’u përballur me forcat qeveritare deri tani.

Sulmi ndodh disa ditë pasi Liga Arabe pezulloi antarësimin e Sirisë, për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut në vend. Turqia, ndonëse nuk është antar i Ligës, morri pjesë në punime dhe paralajmëroi për pasoja të rënda Sirinë, një vend fqinj.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara më shumë se 3 500 persona kanë vdekur që prej fillimit të protestave në muajin mars, përfshi 70 vetëm ditën e hënë. Sipas Damaskut zyrtar, në vend nuk po ndodh asnjë revoltë, por vetëm një lëvizje banditësh dhe terroristësh, e organizuar nga vendet perëndimore.

Top Channel