Biznesi, akuza për ligjin e prokurimeve

05/03/2012 00:00

Biznes Albania akuzon administratën se përmes ligjit të prokurimeve po i përqendron tenderat publikë në duart e disa kompanive të caktuara.

“Ligji i prokurimeve publike në mënyrë elektronike, i propaganduar si ligji i transparencës, jo vetëm që nuk bën diçka të tillë, por e ka bërë garën më të mbyllur dhe shpall fituese të njëjtat firma”, deklaroi kryetari i BA, Luan Bregasi.

Bregasi thotë se për shkak të kufizimeve të ligjit, bizneset e kanë të pamundur të ankohen edhe kur në tendera bëhen shkelje flagrante.

“Ligji ekzistues e bën të vështirë ankimimin kur vërehen shkelje të rënda në tenderime. Ka kompani që shpallen fituese edhe pse nuk përmbushin kriteret për të marrë pjesë në gara”, theksoi Bregasi.

Biznes Albania thotë se një nga arsyet kryesore pse legjislacioni krijon shtigje për korrupsion është se qeveria nuk e konsulton biznesin kur i miraton ligjet.

Në mbledhjen e bordit të Biznes Albania ishte i ftuar edhe ambasadsori i Bashkimit Europian ne Tiranë, Ettore Sequi, i cili tha se përfshirja e biznesit në përmirësimin e legjilacionit është një nga kërkesat thelbësore të BE-së.

Aktualisht biznesi shqiptar nuk ndodhet në një situatë të mirë, pasi të dhënat e fundit tregojnë se kreditë e dhëna nga bankat kanë rezultuar më të këqija për biznesin se sa për individët.

Muajin e kaluar, një pjesë e biznesit i kërkoi qeverisë të shtyjë ligjin për deklarimin e të ardhurave personale, pasi hyrja në fuqi e tij në këtë moment mund të perceptohej si masë represive, duke trembur kapitalin që ushqen ekonominë.

Po muajin e kaluar, biznesi i kërkoi gjithashtu politikës që në kulmin e krizës ekonomike të linte mënjanë përplasjet dhe të përqendrohej tek sipërmarrja. 

Top Channel