Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç është i gatshëm të takohet dhe të bisedojë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Lajmin e ka bërë të ditur raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, në një prononcim për “REL”.

Sipas Kacin, Nikoliç gjatë vizitës në Bruksel ka shprehur gatishmërinë për të takuar cilindo nga zyrtarët kosovarë, me përjashtim të kryeministrit Thaçi.

Gjatë vizitës së parë si president në Bruksel, Nikoliç mori mesazhin e autoriteteve evropiane se përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht për afrimin e Serbisë me BE-në.

Ndërkohë, kryeministrin Thaçi, Nikoliç e konsideron “një kriminel që gjatë luftës së viteve ’90 ka kryer krime ndaj popullsisë serbe”.

Gjithashtu, Nikoliç synon që në bisedimet Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga Brukseli të futet gradualisht edhe çështja e statusit të Kosovës, e cila sipas tij është e pazgjidhur.

Kur bëri betimin si president, Nikoliç deklaroi se do të punonte për të ruajtur integritetin territorial të Serbisë, duke iu referuar qartë ruajtjes së Kosovës.

Ndërsa në një deklaratë të mëhershme, ai tha se për Kosovën, Serbia është e gatshme të heqë dorë edhe nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Top Channel