Identikiti i njërit prej autorëve

09/08/2012 00:00

Ndërsa një nga të mbijetuarat e sulmit tek ish-fusha e aviacionit, Lumturie Gjana, motra e Fatbardha Tafës që u vra gjatë përleshjes me dy grabitësit, ka lënë banesen e saj në Tiranë për shkak të riteve mortore në fshatin Hardhishtë, në Shijak, policia pak nga pak po bashkon të dhënat për autorët e mundshëm të këtij krimi të rëndë dhe tronditës, jo vetëm për familjarët por edhe opinionin publik.

Ekspertët e policisë, shumica e të cilëve kanë ndërprerë pushimet e verës për të zbardhur krimin e rëndë, janë duke ndërtuar profilet e dy autorëve.

Sipas burimeve, njëri nga grabitësit, ai që drejtonte motorçikleten, është me trup normal, por në fytyrë mbetet komplet i paidentifikuar për shkak të një skafande, e cila raportohet të ketë qenë me ngjyrë të zezë dhe e shkruar me ngjyra të hapura.

Ndërsa personi tjetër, tha një burim i sigurtë nga grupi i hetimit, kishte të vendosur në kokë një kapele me ngjyrë jeshile të errët, është i  dobët, rreth 1.70m dhe dyshohet se ka moshën nga 18 deri deri jo më shumë se 20 vjeç.

Nga informacionet e mbledhura në terren agjentët e krimeve saktësuan për Top Channel se mjeti me të cilin grabitësit qarkullonin në çastet e ngjarjes është një motor papaq, jo më shumë se 150 kubikë, me ngjyrë të zezë dhe pa targa. Është pikërisht kjo edhe arsyeja që policia po vijon verifikimet për motorçikletat pa dokumenta që qarkullojnë në Tiranë.

Duke qenë se mjaft qytetarë kanë telefonuar dhe kanë rrëfyer të dhëna për këtë ngjarje, policia vijon të ketë në dispozicion për personin që do të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve shpërblimin prej 10 mijë eurosh. Ndërkohë, ajo i bën thirrje qytetarëve që të telefonojnë për këtë ngjarje në numrin pa pagesë 129, si dhe numrin celular 0694104111.

Epidemia e grabitjeve dhe akteve të dhunës në rrugë nga grupet e adoleshentëve dhe të rinjve, sipas psikologëve tregojnë se shoqëria jonë është tronditur nga themelet. 

Një ditë më parë mbi 200 persona, që të gjithë me preçedentë penalë në fushën e vjedhjeve dhe grabitjeve, u shoqëruan nga 6 komisariatet e policisë së Tiranës lidhur me vrasjen në fjalë.

Top Channel