Ku do të shkojnë paratë e ‘Albpetrol’?!

10/09/2012 00:00

Paratë nga privatizimi i ‘Albpetrolit’ duket se t’i japin frymëmarrje ekonomisë së vendit në kohë kize.

Ish-zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu thotë se ekziston një rregull standard, që është zbatuar në mënyrë të vazhdueshme në rastet e privatizimeve, sipas të cilit shuma e ofruar shkon për reduktimin e borxhit publik dhe investime publike.

“Ka një rregull standard, i cili është zbatuar në mënyrë të vazhdueshme, që përcakton se të ardhurat nga privatizimet përdoren për uljen e borxhit publik dhe për investime publike dhe këto të dyja janë fushat e vetme që mund të financohen nga privatizimi i ‘Albpetrol'”, tha Shehu.

Selami Xhepa, deputet i Partisë Demokratike mendon se paratë që do të arkëtohen nga shitja e ‘Albpetrol’ do të mundësonin rritjen e investimeve publike, por edhe uljen e kostos së borxhit publik.

“Së pari do të nënkuptonte një program investimesh, një buxhet suplementar shtesë që është i barabartë, pothuajse me buxhetin vjetor dhe do të kishte një impakt, pra shumë të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë dhe nga ana tjetër reduktimi i borxhit, pra në një shifër të konsiderueshme, por nëqoftëse arkëtimi do të jetë në vlera që është referuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, mendoj që kjo do të përbënte një sinjal shumë të rëndësishëm për të reduktuar koston e borxhit në Shqipëri dhe do të rrisë interesin e investitorëve për të vazhduar blerjen e borxhit shqiptar në të ardhmen, me kosto gjithnjë e më të ulët. Duke patur parasysh që programi i rrugëve është në një proces të rëndësishëm, mendoj që do të ishte me interes finalizimi i programit rrugor”, tha Xhepa.

Lidhur me afatin e vlerësimit të kompanive të ofruara për privatizimin e ‘Albpetrolit’, ish-zëvendësministrat e Financës thonë se për shkak të kompleksitetit të çështjes do të duhen disa javë deri në shpalljen e fituesit.
Nga 19 shoqëri që kishin shfaqur interes për privatizimin e ‘Albpetrol’, vetem 6 prej tyre paraqitën ofertë, ku çmimin më të lartë, prej 850 milionë euro, e ofroi konsorciumin ‘Vetro Silk Roud Ekiti’.

Top Channel