Ka dhënë dorëheqjen rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi. Këtë vendim e bëri publik vetë rektori në televizionin publik të Kosovës. Gashi tha se e mori vendimin pas një presioni psiqik e emocional.

“Kam vendosur për këtë hap pas një presioni të vazhdueshëm, shpesh herë edhe të pandershëm dhe me implikime të thella politike të një grupi të studentëve, një pjese të shoqërisë civile dhe të qarqeve të caktuara politike”, tha Gashi.

Përmes një komunikate me shkrim nga Rektorati i UP-së, zoti Gashi u shpreh: “Kam dashur që, për përgjegjësinë eventuale të cilitdo, e në këtë kuadër edhe përgjegjësinë time, fjalën e tyre fillimisht ta thonë organet e Universitetit, por, meqë presioni që po ushtrohet ndaj Universitetit tashmë ka rrezikuar funsionimin e tij, atëherë vendosa të jap dorëheqje i bindur se me këtë akt Universiteti do të lihet i qetë që të kryejë punën e vetë”.

Ibrahim Gashi u shpreh i bindur në pafajsinë e tij, duke thënë se dorëheqja nuk nënkupton ikje nga përgjegjësia. Dorëheqja e Ibrahim Gashit është aprovuar nga Këshilli Drejtues në një mbledhje të jashtëzakonshme mbrëmjen e së shtunës. Dorëheqja e rektorit ndodhi pas më shumë se një javë protestash të studentëve dhe shoqërisë civile, ku dhjetëra u lënduan e u arrestuan duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës është caktuar ushtrues detyre i rektorit prof. asoc. Naser Sahiti, prorektori për buxhet dhe financa. Kjo u vendos në mbledhjen e jashtëzakonshme të Rektoratit, mbrëmjen e së shtunës. Këtë e konfirmon Rektorati i UP-së përmes një komunikate për media.

Top Channel