Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski të enjten ka firmosur vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 27 prill, në të njëjtën ditë kur do të zhvillohet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Veljanovski ftoi partitë politike që do të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, të veprojnë në përputhje me dispozitat ligjore dhe kushtetuese.

“Para nesh kemi një proces zgjedhor, rregullat e të cilit janë pranuar nga pushteti dhe opozita. Unë dua t’i bëj thirrje gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere të qetë dhe demokratike në të cilën çdo qytetar do të ketë mundësi të realizojë të drejtën e vet, duke votuar sipas bindjes individuale”, ka deklaruar Veljanovski.

Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet parlamentare, të mbahen në njw afat prej 60 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit, kurse fushata elektorale e partive politike zgjat 20 ditë.

Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni u nxit nga partia shqiptare në pushtet BDI, e cila ngriti iniciativën për shpërndarjen e Parlamentit pas refuzimit të partnerit maqedonas të koalicionit për të garuar në zgjedhjet presidenciale me një kandidat konsensual.

Top Channel