Apokalipsi duket se ka ndodhur. Fshatrat e qytetzës Orashje në Bosnje çdo ditë e më shumë humbin në thellësinë e ujërave të lumenjve. Aty, grupi më i madh i skuadrave të shpëtimit përbëhet nga shqiptarët.

Ata bëhen gati që në mëngjes dhe kalojnë pjesët e përmbytura. Deri diku me kamion dhe më pas vazhdojnë me varka. Ata thonë se janë pritur mirë nga banorët dhe se për Shqipërinë kjo është e rëndësishme në një mission ndërkombëtar.

“Në përgjithësi jemi mirëpritur nga banorët. Ne po punojmë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, thotë Lulëzim Beqiri, nënkomisar i FNSH-së së Shkodrës.

“Ne jemi mobilizuar për të dhënë ndihmën tonë këtu, bashkë me njësitë vendase”, shprehet nga ana tjetër Nebi Muçaj, drejtor i Qendrës Vullnetare për Emergjencat Civile.

Në këto fshatra uji është duke u rritur, pavarësisht se reshje nuk ka më. Në ndihmë u ka dalë edhe një shqiptar, bukëpjekës nga Kosova, i cili shpërndan çdo ditë bukë pa pagesë për banorët.

“Kam qenë i kënaqur kur dëgjova se kanë ardhur ekipe shqiptare për t’i ndihmuar. Kështu që edhe unë vendosa t’i ndihmoj”, thotë Gani Uroshi.

“Jam shumë i kënaqur dhe e falenderoj Shqipërinë për ndihmën që na ka dhënë, që të na i zbusë pasojat e kësaj katastrofe sado pak”, shprehet Damir Shoshiç, banor i fshatit Vidovicë.

Bosnja dhe Serbia u goditën rëndë nga vërshimet kur lumenj të ndryshëm, e sidomos Sava, dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve. Digat u thyen dhe mijëra persona janë evakuuar.

Viktimat thuhet se kanë shkuar mbi 40, por numri i saktë ende nuk dihet. Për shqiptarët, krahas shteteve të zhvilluara, kjo është një ndihmë dhe fillim i ri.

Top Channel