Albpetrol, PS: Jo shitje, konçesion

12/09/2012 00:00

Tenderi i shitjes së kompanisë me të rëndësishme dhe strategjike në vend, Albpetrolit, pas një hutimi të përgjithshëm por dhe euforisë për shkak të shifrës së lartë, po shoqërohet me një heshtje si nga qeveria, por po ashtu edhe nga opozita.

Qeveria është justifikuar deri tani me faktin se po verifikohet dokumentacioni dhe vendimi kërkon kohë. Ndërsa opozita, këmbëngul në qendrimin e saj kundër ligjit që privatizon Albpetrolin, jo kundër vetë procesit.

Në një lidhje nga Selia Roze me edicionin qendror informativ në Top Channel, deputeti socialist, Arben Ahmetaj argumentoi votën e socialistëve kundër ligjit të privatizmit të Albpetrol, pavarësisht ofertës prej 850 milionë eurosh. Sipas tij, ky ligj është anti-kushtetues dhe shet të drejtat dhe interesat kombëtare, që në standardet ndërkombëtare i takojnë gjithmonë shtetit.

“Në atë seancë votova kundër ligjit të privatizimit me qartësi. Arsyeja e parë është se në atë ligj shiten interesat kombëtare të shqiptarëve. Operatori ka marrë nëpërmjet atij ligji anti-kushtetues të drejta që i takojnë shtetit, që shkojnë deri në 50 milionë dollarë. Këto të drejta duhet t’i shkojnë shtetit sic është edhe standardi ndërkombëtar. Shitja e interesave të qytetarëve shqiptarë është në kundërshtim me gjithë standardet ndërkombëtare”, tha zoti Ahmetaj.

Deputeti socialist tha se nëntoka shqiptare, sipas studimeve, ka rreth 30 milion tonë naftë, e përkthyer në 18 miliard dollarë me vlerën e tregut të sotëm. Ahmetaj tha se opozita është për dhënien me koncesion të kësaj pasurie, jo për shitjen e saj. Koncesioni tha ai, është zgjidhja më e mirë që mbron të drejtat dhe interesat e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.

Megjithatë, sa i takon privatizimit, Ahmetaj përfundoi se duhet të ketë transparencë mbi operatorin që do të bëjë ofertën më të madhe,që do të ketë planin më të mirë, me kusht që interesat e tij të përputhen me interesat strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Pyetjes se si do të veprojë Partia Socialiste në rast të ardhjes në pushtet, zoti Ahmetaj iu përgjigj duke thënë se do t’i rikthejë buxhetit të shtetit paratë që humbet nga ky privatizim.

Top Channel