‘Albpetroli’, mbërrin konsulenti

13/09/2012 00:00

Ndonëse ka kaluar një javë nga mbajtja e tenderit të ‘Albpetrol’, sërish procesi vazhdon të mbështillet nga një mister i madh.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, nuk ka shpallur apo bërë publik asnjë informacion në lidhje me procesin e vlerësimit të ofertave. Në deklaratat e herëpashershme autoritetet thonë vetëm se po verifikojnë dokumentacionin.

Por ndonëse zyrtarisht Qeveria hesht, si asnjëherë më parë në një tender kaq të rëndësishëm, jashtë syve të publikut duket se ka zhvillime jo të vogla. Top Channel ka mësuar se në Shqipëri ka mbërritur, diplomati i njohur amerikan Frank Wisner. Zoti Wisner, i cili mësohet se ka patur takime me zyrtarë të lartë në Tiranë, është pjesë e kompanisë ‘Patton Boggs’, amerikanes që këshillon Qeverinë shqiptare në vlerësimin e ofertave  dhe kritereve për shitjen e ‘Albpetrol’. Pikërisht procesi i vlerësimit është dhe ai që po mban pezull dhe në heshtje fatin e privatizimit më të madh të të gjitha kohërave në Shqipëri. Ky proces duket jo pak i lehtë, vecanërisht në dy pika të nxehta, që lidhen me sigurinë e garancisë financiare dhe përmbushjen e kriterit strategjik.

Në rastin e konsorciumit, që ofroi cmimin më të lartë në tender, në të dy këto pika ka jo pak pikëpyetje.

Së pari ndonëse zyrtarisht nuk ka asnjë konfirmim, burime konfidenciale thonë që garancia është lëshuar nga një bankë, e cila nuk bën pojesë në 50 më kryesoret në botë ashtu sikur parashikon vendimi për kriteret që ka miratuar qeveria. Së dyti vec pikëpyetjeve në lidhje me garancinë, i paqartë mbetet edhe kriteri strategjik, ai që detyron kompaninë fituese të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë ndërkombëtare  në sektorin energjetik.
Nga të dhënat që janë publike, si për ‘Vetron’ ashtu dhe “Silk Road” ky kriter vihet në dyshim.

Në gjithë këtë situatë të paqartë, vizita e Wisner-it në Tiranë vështirë të besohet se është e rastësishme. Ajo qe dihet eshte se konsulenti amerikan ne kontraten e tij ka nje bonus fitimi sa here tenderi ka sukses, pra ka nje fitues. Dhe ne kete rast tarifa e suksesit eshte 2.5 per qind e çmimit te shitjes, ose nje biznes prej 22 milione eurosh.

Top Channel