Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka deklaruar se institucionet e shtetit nuk do të lejojnë përshkallëzimin e protestave dhe porositi se Maqedonia ka kapacitete për t’u përballur edhe me situata më të rënda se këto të ditëve të fundit.

Sipas Gruevskit, protestat dhe tensionet po nxiten nga disa organizata, grupe dhe individë për llogari të axhendave që sipas tij nuk shkojnë në interes as të maqedonasve dhe as shqiptarëve.

“Po e ndjek me vëmendje situatën e fundit dhe dua të them se protestat e qeta janë e drejtë demokratike. Megjithatë, protestat ku përdoret dhuna nuk mbështeten në asnjë shtet dhe as në shtetin tonë. Shqetësuese është mbështetja që dikush i jep një numri të caktuar individësh dhe disa grupeve, të cilët në mënyrë direkte apo indirekte hedhin benzinë në zjarr, për shkak të ndonjë axhende partiako-politike, që nuk është interes as të maqedonasve e as të shqiptarëve”, ka thënë Gruevski.

Ndërkohë, lidhur me situatën e fundit, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është takuar në Tetovë me ambasadorin e SHBA në Maqedoni, Paul Wahlers. Dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se, çdo qytetar ka të drejtë të protestojë në mënyrë të qetë, ndërsa dhuna është e papranueshme.

“Gjithashtu vlerësuam se dhuna nuk e ndihmon procesin, dhuna nuk e ndihmon zhvillimin e mëtjeshëm të procesit, nuk ndihmon në zgjidhjen institucionale që ky proces të jetë sa më bindës për Gjykatën e Apelit, me qëllim që të rikthehet në shkallë të parë”, ka thënë Ahmeti pas takimit.

Gjatë ditës së hënë protesta janë zhvilluar vetëm në qytetin e Strugës, ku qytetarët në mënyrë të qetë kanë shprehur pakënaqësinë nga vendimi i Gjykatës Themelore në Shkup, për të dënuar me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë.

Top Channel